Thirrje për donacion

Të nderuar dashamirë të arsimit,

Asociacioni për Edukim “Penda” për 3 vite me rradhë po vazhdon aktivitetin e saj si organizatë joqeveritare me fokus në fushën e arsimit dhe edukimit.

Kontributi kryesor i organizatës sonë vazhdon të jetë grumbullimi i fondeve në formë të donacioneve, dhe shpërndarja e tyre si bursa për studentë të shkëlqyeshëm të cilët kanë nevojë për ndihmë financiare. Që nga formimi ynë deri më tani kemi arritur të përkrahim 14 studentë. Përzgjedhja e studentëve bëhet me një proces rigoroz ku rëndësi e vecantë i kushtohet cilësisë dhe suksesit akademik të studentëve, si dhe potencialit të tyre për t’u bërë profesionist të mirë dhe anëtarë të dobishëm të shoqërisë.

Ashtu si deri më tani, edhe në të ardhmen ne do të vazhdojmë aktivitetin tonë duke u bazuar në dy shtylla kryesore: besueshmëri dhe transparencë e plotë. Në frymë të këtyre parimeve, me ju ndajmë informatat në vijim:

        – Nga 14 bursa të ndara deri më tani, 5 janë ndarë gjatë vitit akademik 2018/2019 dhe 9 gjatë vitit akademik 2019/2020.

        – Bursa për cdo student është 450 euro në vit, ose 50 euro në muaj për 9 muaj (aq sa zgjat viti akademik).

        – Nota mesatare e bursistëve tanë është rreth 9.4, dhe në mesin e tyre ndodhen studentë të shkëlqyeshëm të cilët janë fitues të cmimeve ndërkombëtare.

        – Anëtarësia e organizatës sonë është në ritje të vazhdueshme, sidoqoftë cmimi për anëtarësi (100 euro në vit për cdo anëtarë) na lejon që të ndajmë 5 deri 6 bursa në vit, kurse për pjesën tjetër na nevojitet përkrahje më e gjërë në formë të donacioneve të pavarura.

Ne besojmë fuqishëm që studentët e shkëlqyeshëm meritojnë të përkrahen vazhdimisht, dhe jemi të bindur që përkrahja e individëve që përfaqësojnë vlera të larta etike dhe profesionale do të rezultojë në ndryshime pozitive dhe afatgjate në shoqerinë tonë.

Këtë vit ne kemi pranuar një numër rekord aplikimesh, gjegjësish mbi 70 aplikime, nga studentë të shkëlqyeshëm dhe bëjmë thirrje për grumbullimin e donacioneve që të mund të përkrahim sa më tepër studentë. Thirrja u dedikohet të gjithë dashamirëve të arsimit, dhe në vecanti pronarëve të bizneseve.

Nëse edhe Ju besoni në misionin, vizionin dhe aktivitetet e Asociacionit për Edukim “Penda”, ju lutemi dononi!

Donacionet mund të pranohen nëpërmjet të transakcioneve bankare në llogaritë tona në Maqedoninë e Veriut apo në Gjermani, si dhe nëpërmjet të transferit elektronik me kartelë.

Linku për donacione: https://www.penda.org.mk/sq/donacione/ 

Ju falemnderit paraprakisht!

Asociacioni për Edukim “Penda”.